(Lajm i përditësuar)
Zeqiri: Nuk shoh interes të qytetarëve serbë që do t’u përgjigjen institucioneve të Kosovës për zgjedhje ose për tu punësuar
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri në ‘’Click’’ të RTV21 tha se vazhdon të jetë pro dorëheqjes vullnetare, pasi që sipas tij kjo dorëheqje do të jetë më e dinjitetshme.
‘’Unë gjithmonë kam qenë pro dorëheqjeve vullnetare mirëpo duke i parapriu një marrëveshje politike dhe një dorëheqje vullnetare do ishte me e dinjitetshme’’, tha Zeqiri.
Duke folur për zgjedhjet në Komunat veriore të Kosovës, Zeqiri tha se nuk sheh ndonjë mundësi që qytetarët serbë të marrin pjesë në zgjedhje pa marrë ndonjë udhëzim nga Beogradi.
‘’Nuk shoh interes të qytetarëve serbë që do t’u përgjigjen institucioneve të Kosovës qofte për zgjedhje ose për tu punësuar’’, tha Zeqiri.
Tutje i pyetur për nënshkrimin e peticionit nga qytetarët serbë për shkarkimin e tij, Zeqiri tha se ‘’nuk ka vërejtur ndonjë informacion se është duke zhvilluar ndonjë aktivitet i tillë’’.
Fetoshi: 14 shtatori ditë kritike
Analisti politik, Arben Fetoshi në debatin ‘’Click’’ të RTV21 tha se muaji shtator do jetë muaji i nxehtë politikisht.
Ai tutje tha se 14 shtatori dita e takimit të nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi, në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do jetë ditë kritike.
Sipas Fetoshit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do përballet me dy sfida.
‘’Kurti do përballet me dy sfida duhet t’i japim përgjigje dhe besoj që do insistohet në një përgjigje për çështjen e zgjedhjeve në komunat veriore dhe pastaj do kemi insistim që presidenti serb të detyrohet që të zotohet se nuk do të përdor presionet dhe shantazhet mbi qytetaret e komunave veriorë që ata ta bojkotojnë përsëri procesin’’, tha Fetoshi.
Ai tutje ka shtuar se ‘’Nuk besoj që nesër mund të ketë rezultate spektakulare’’./21Media











