(lajm i përditësuar)
Zëvendësohet Bordi drejtues i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore
Qeveria e Kosovës ka miratuar Bordin e ri drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Bordin u prezantua nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili tha se zëvendësimi i Bordit është në përputhje me ligjin.
Edhe vetë Vitia do të jetë anëtar i Bordit, organ ky që do të ketë shtatë anëtarë.
Përveç Vitisë, në Bord janë Hekuran Nikçi dhe Besnik Fetahu nga Ministria e Financave, Kastriot Meça nga Oda e Profesionistëve Shëndetësorë, Ardian Shefkiu nga ShSKUK, Izet Sadiku nga Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Afrim Maliqi Shoqata e Pacientëve.
Qeveria miraton pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, duke i shkuar në hap sanksioneve të vendosura nga BE-ja dhe SHBA-ja.
“Shqyrtimi i propozim vendimit për ndryshimin e vendimit të qeverisë për zbatimin të vendimit të BE-së dhe ShBA-së për vendosje të sanksioneve ndaj federatës ruse dhe të Bjellorusisë”, ishte pika e diskutimit me të cilën u pajtua i gjithë kabineti qeveritar.
Kjo pikë u propozua nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla.
Pakoja e re e masave përfshin forcimin e bashkëpunimit dy palësh dhe shumë palësh me vendet e treta për të penguar anashkalimin e sanksioneve, ndalimin e tranzitit të mallrave përmes Rusisë, shtrëngimin e kufizimeve të eksportit, vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj 71 individëve dhe 33 subjekteve, si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj grupit Wagner. /21Media











